Green27+

Përse lundrojnë mbetjet?

Erni Kocani, URI

Si një vend në zhvillim, Shqipëria vijon të përballet me problematika të shumta mjedisore. Ndryshimet demografike, rritja e konsumit, edukim i ulët mbi çështjet mjedisore dhe shumë faktorë të tjerë të një ekonomie të lirë shkaktojnë një keq menaxhim të sasisë së mbetjeve të gjeneruara.

Gjatë hartimit të raportit për vlerësimin e nivelit të përafrimit të legjislacionit evropian në atë shqiptar në kuadër të projektit Green27[1], mbështetur nga programi SANE27[2] janë parë Direktivat kryesore të sektorit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta bashkiake, zbatimi i të cilave është i ndërlidhur.

Direktiva kuadër e ‘Mbetjeve’[3] kornizon të gjithë sektorin dhe synon mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të duhur të mbetjeve. Kjo direktivë është përafruar pjesërisht në ligjin ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’[4], ndërsa zbatimi i saj mbetet akoma në nivelet fillestare dhe ka akoma shumë punë për tu bërë në mënyrë të tillë që të arrihet një nivel i kënaqshëm zbatimi.

Në vitin 2020 Qeveria Shqiptare miratoi “Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2020-2035[5]” (Dokumenti i Politikave Strategjike) dhe “Planin Sektorial Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta [6]” (Plani Sektorial), të cilët përcaktojnë objektivat strategjik, synimet dhe infrastrukturën e nevojshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Këto dokumente janë të rëndësishëm për përmirësimin e sektorit, por ato duhet të ndiqen nga planet rajonale dhe vendore të menaxhimit të mbetjeve dhe investimet për ndërtimin e objekteve të magazinimit të përkohshëm (stacionet e transferimit) dhe landfilleve sanitare në mënyrë që të arrihet një status i mirë mjedisor.

Aktualisht janë hartuar 3 nga 10 plane rajonale dhe 14 nga 61 planet vendore të menaxhimit të mbetjeve. Nga ana tjetër janë në operim 4 landfille sanitare (Sharë, Maliq, Bajkaj, Vau i Dejës) dhe 1 incenerator (Elbasan) të cilët trajtojnë në mënyrë të kontrolluar gjithsesi vetëm një pjesë të mbetjeve të gjeneruara në territorin e vendit.

Të dhënat nga Dokumenti i Politikave Strategjike sugjerojnë se ka 199 vend depozitime ilegale në të cilat janë depozituar mbetje të ngurta bashkiake dhe jo vetëm, ku një pjesë e tyre janë përqendruar buzë përrenjve, rrjedhave ujore dhe lumenjve. Mbetjet e depozituara në këto burime ujore lundrojnë deri në brigjet e deteve duke ndikuar negativisht ekosistemin, florën, faunën ujore dhe tokësore. Përveç dëmit të shkaktuar në mjedis këto mbetje lundruese kanë një ndikim negativ nga ana vizuale për banorët dhe turistët vendas e të huaj të cilët vizitojnë vendin tonë.

Vazhdimisht ndërmerren nisma nga ana institucioneve kombëtare, vendore, donator dhe shoqëria civile për pastrimin e territorit nga mbetjet urbane të depozituara në mënyrë të papërshtatshme, por ndonëse krijohet një përmirësim momental ai nuk është i qëndrueshëm dhe gjendja mbetet shqetësuese.

Nëpërmjet këtyre nismave vërehet se veçanërisht burimet ujore shihen si opsione të përshtatshme për depozitimin e mbetjeve dhe ndër rrymat të cilat hasen më shpesh janë mbetjet nga plastika.

Gjate 8 aksioneve të pastrimit dhe monitorimit të zhvilluara nga Instituti i Kërkimeve Urbane në vitin 2018 - 2019 në grykëderdhjen e Lumit Buna dhe tek Kepi i Rodonit aty ku janë edhe grykëderdhjet e lumenjve Buna dhe Ishëm janë grumbulluar 5,981 artikuj me një peshë totale prej 620.30kg; artikujt e gjetur në këto plazhe kanë qenë nga më të ndryshmet por ato të cilët dominonin ishin mbetjet plastike me 3,514 artikuj me një peshë totale prej 281kg. Këto dy lumenj rrjedhin nga lindja në perëndim duke përshkuar shumë zona urbane të cilat ndikojnë në ndotjen e këtyre dy burimeve ujore.

Masat të cilat do t’i jepnin një zgjidhje të qëndrueshme këtij fenomeni janë në radhë të parë hartimi i planeve rajonale dhe plotësimi i infrastrukturës për depozitimin e përkohshëm e fundor të mbetjeve të cilat do të lehtësonin dhe do të bënin të zbatueshëm planet vendore. Ndër masat e tjera të cilat do të ndikonin në zgjidhjen e kësaj problematike janë edhe shtrirja e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve në të gjithë territorin e vendit për të grumbulluar të gjithë sasinë e mbetjeve të gjeneruar dhe monitorim më i mirë i territorit për të minimizuar depozitimin e mbetjeve pa kriter.

Në mënyrë të veçantë për menaxhimin e mbetjeve plastike është e nevojshme ngritja e sistemit të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, sistem i cili do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet prodhuesve, eksportuesve, ricikluesve dhe institucioneve qendrore dhe vendore për të adresuar këtë problematikë.

Lundrimi i mbetjeve do të vazhdojë...nëse nuk ndërmerren masa konkrete e gjithëpërfshirëse për të ndaluar udhëtimin e tyre. [1] Green27 është një grupim organizatash mjedisore që po punon për hartimin e një raporti mbi pozicionin e shoqërisë civile në vlerësimin e nivelit të përafrimit dhe zbatimit të direktivave evropiane të mjedisit, pjesë e Kapitullit 27 të negociatave për afrimin në BE. [2] SANE27 është një program i mbështetur nga qeveria Suedeze (SIDA) për të ndihmuar Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në përafrimin dhe zbatimin e direktivave evropiane të Kapitullit 27: Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike. [3] 2008/98/EC [4] Ligji Nr. 10463, date 22.9.2011 [5] Provuar me VKM Nr. 418, datë 27.05.2020 [6] Miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit me Vendimin Nr. 1 datë 13.01.2020

    Komentet janë të mbyllura.