Genti Kromidha, GREEN27
“O ba përse i kanë burgosur kafshët këtu” – më pyeti ime bijë ndërsa po drekonim në një nga restorantet përreth Tiranës.
Pikërisht një ditë më parë rastisi që po përgatisja raportin e vlerësimit për nivelin e përafrimit dhe zbatimit të Direktivës Evropiane për Kopshtet Zoologjike, në kuadër të projektit Green27[1], mbështetur nga programi SANE27[2]. Bashkimi Evropian ka hartuar një direktivë që përcakton rregullat për ngritjen, licensimin dhe menaxhimin e kopshteve zoologjike me synim kryesor ruajtjen ex-situ të llojeve të kafshëve të egra si dhe mbështetjen e edukimit publik dhe kërkimit shkencor.
Për fat të keq përafrimi i kësaj direktive është në nivel fillestar. Në vitin 2016, Ministri i Mjedisit ka miratuar një rregullore për trajtimin e llojeve të faunës së egër në kopshte zoologjike apo mjedise të tjera ku kafshët ekspozohen për publikun, e cila përafron disa kërkesa të kësaj direktive.
Sidoqoftë, kjo rregullore nuk ka një përkufizim të saktë për kopshtet zoologjike dhe nuk përcakton se cili është autoriteti kompetent për zbatimin e kësaj direktive. Ajo nuk qartëson procesin e licensimit dhe kontrollit të funksionimit të kopshteve zoologjike apo mjediseve të tjera ku kafshët ekspozohen në publik si dhe rregullat për trajtimin e kafshëve në këto mjedise.
Meqënëse transpozimi është në fazë fillestare është e kotë të flasim për zbatimin e kësaj direktive në Shqipëri. Mungesa e procedurave të qarta të licensimit bën që asnjë mjedis në Shqipëri të mos jetë i licensuar si Kopësht Zoologjik. Këtu përfshihet edhe ai që banorët e Tiranës rëndom e quajnw Kopshti Zoologjik dhe që menaxhohet nga bashkia e Tiranës. Mungojnë referencat minimale teknike për ndërtimin e mjediseve të tilla që të garantojnë ruajtjen e sigurt dhe mirëqënien e kafshëve të egra.
Në kakofoninë e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e kafshëve të egra, ku përfshihen edhe institucione të specializuara si Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, por edhe Policia Bashkiake e Policia e Shtetit, mungon ndarja e qartë e roleve dhe përgjegjësive si dhe procedurat e sakta që duhen ndjekur për inspektimin dhe kontrollin e mjediseve ku kafshët ekspozohen në publik. Veç kësaj, këto institucione nuk kanë njohuritë dhe kapacitetet e duhura për zbatimin e kërkesave të direktivës për Kopshtet Zoologjike.
Asnjë nga mjediset e shumta në Shqipëri ku ekspozohen kafshë të egra, të ashtuquajtura “Kopshte Zoologjike” nëpër restorante apo mjedise të tjera private, përfshirë këtu edhe Kopshtin Zoologjik të Tiranës, nuk arrijnë të përmbushin objektivat kryesore të krijimit të kopshteve zoologjike sipas Direktivës Evropiane, që janë ruajtja e llojeve të kafshëve të egra dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e tyre si elementë të çmuar të biodiversitetit. Pa folur këtu për kushtet “çnjerëzore” në të cilat mbahen kafshët e egra në këto mjedise.
Shpeshherë shoqatat mjedisore kanë ngritur zërin e kanë denoncuar mjaft raste të mbajtjes së kafshëve të egra në mjedise të papërshtatshme. Dhe do vazhdojnë ta bëjnë këtë punë pa u lodhur. Por është e nevojshme që institucionet ligjzbatuese të marrin masat e duhura dhe të dënojnë si duhet shkelësit e ligjit.
Por puna duhet filluar me Kopshtin Zoologjik të Tiranës, i cili nëse duhet të ekzistojë, duhet të jetë një shembull i trajtimit të kafshëve të egra dhe ti shërbejë edukimit të qytetarëve të Tiranës, veçanërisht brezit të ri, me dashurinë dhe respektin për kafshët e egra. Shoqatat mjedisore janë të gatshme të ofrojnë ndihmën dhe njohuritë e tyre për të mbështetur Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në zbatimin e duhur të Direktivës për Kopshtet Zoologjike, duke hartuar aktivitete specifike edukimi dhe programe për ruajtjen e kafshëve të egra.
…
Këto kisha shkruar në raportin tim një natë më parë. Por tani duhet të gjeja fjalët për t’iu përgjigjur sime bije “Përse i burgosin kafshët këtu?”
3