Green27+

Uji: Pasuria jonë e pa menaxhuar

Legjislacioni mjedisor evropian dhe parimet e menaxhimit të integruar të burimeve ujore në perspektivën shqiptare.

Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Evropë përsa i përket burimeve ujore, me një sipërfaqe ujore të konsiderueshme, e përllogaritur sa dyfishi i sipërfaqes territoriale. Bukuritë dhe vlerat e burimeve tona ujore janë të paçmuara, dhe është e lehtë ta konstatosh këtë fakt, nëse ndalemi tek Lugina e Shushicës, e gjendur në Krahinën Malore Jugore në rrethin e Vlorës, me disa burime kryesore ujërash nëntokësore gjatë gjithë rrjedhës së saj.

Lumi Shushica, pjesë e Basenit të Vjosës, ka prurje të përhershme uji dhe është një nga lumenjtë më të rëndësishëm të këtij baseni. Ujërat e Shushicës pasi bashkohen me ato të Vjosës vijojnë rrjedhën për rreth 25 km të tjera për tu derdhur në detin Adriatik. Duke filluar nga burimi deri në derdhje, gjatë rrjedhës së tij ai kalon në disa qendrave të banuara. Pra, ajo çka mund të themi është që lumi Shushica është një ekosistem shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj zone të cilët e përdorin atë për ujë të pijshëm, ujitje, bluarje drithërash me mulli, peshkim, argëtim, por jo për lundrim.

Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile aktive, media dhe komuniteti në basenin e Vjosës, vënë në dukje një sërë problemesh në këtë lumë, prej mungesës së planit të menaxhimit të basenit të lumit Vjosa, gërryerjet, erozioni dhe derdhjet e mbetjeve urbane. Ata shprehen se cilësia e ujërave dhe “shëndeti” i këtij ekosistemi lumor është mesatar, e ndikuar nga keqmenaxhimi jo vetëm të burimeve ujore, por i të gjithë pellgut ujëmbledhës. Nuk është e vështirë të dallosh përgjatë anëve dhe brigjeve të lumit mbetje të cilat pluskojnë apo rrëshqasin brigjeve duke mbërritur dhe pluskuar në sipërfaqe të rrjedhës. Mbetjet përfundojnë në lum dhe kanë destinacion fundor Detin Adriatik. Problem i trashëguar shqetësues janë ujërat e zeza të qendrave të banuara që derdhen në përrenj apo rrjedha ujore dhe përfundojnë në ujërat e këtij lumi.
Direktiva Kuadër e Ujit, një nga direktivat më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, vë në themel qytetarët dhe komunitetet si motor lëvizës në zbatimin e saj. Por niveli i transpozimit në legjislacionin shqiptar për menaxhimin e ujërave mbetet i ulët, vetëm 41%; institucionet janë të brishta dhe burimet të pamjaftueshme. Sidomos vitet e fundit, vendi po përballet me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat janë bërë më të dukshme dhe prekin sipërfaqe më të mëdha të territorit të vendit, siç janë përmbytjet. Rritja e temperaturave dhe ulja e sasisë së reshjeve, ka sjellë dimra më të butë, pranverë më të ngrohtë dhe verë e vjeshtë më të thatë dhe më të nxehtë. Pritet që burimet ujore të ulen me 14% deri në vitin 2050, ndërsa ndryshimi i regjimit të reshjeve do të sjellë intensitet të rrëmbyeshëm të tyre, të gërshetuara me shkrirje të hershme të dëborës, shkaktuar nga rritja e temperaturës në pranverë, duke sjellë kështu përmbytje më të shpeshta.

Politikat e menaxhimit të ujit duhet të udhëhiqen nga parimi “ndotësi paguan” dhe “uji është e drejtë e njeriut”. Cdo nismë në menaxhimin e burimeve natyrore dhe të ujit, duhet të pararendet nga Vlerësimi Strategjik Mjedisor, i cili pothuajse nuk realizohet në Shqipëri. Përfshirja e OSHC-ve mjedisore në procesin e hartimit dhe monitorimit të planeve të menaxhimit është i domosdoshëm. Ndër veprimet më urgjente është përcaktimi i zonave më të dëmtuara të brigjeve të lumit nga erozioni prej marrjes së zhavorreve apo nga erozioni natyror. Ngritja e grupeve të monitorimit për pikat e nxehta të ndotjes përgjatë rrjedhës së lumit duhet të ketë pjesëmarrje të gjerë me anëtarë të komunitetit për evidentimin e rasteve të paligjshmërisë dhe raportimin e tyre pranë agjencive ligjzbatuese.
Banorët e zonës pranë rrjedhës së Lumit Shushica shprehen se ka një dëmtim të madh të drurëve përgjatë rrjedhës së tij, kryesisht rrapi dhe shelgu. Një përfaqësues i organizatës “Gjelbërimi 2000” shprehet se dëmtimi i tyre dhe prishja e habitatit natyror të bimësisë përgjatë rrjedhës së lumit ka shkaktuar erozionin e brigjeve gjatë rënies së shirave të vjeshtës, dimrit dhe pranverës. As pritat e betonit nuk e kanë ndalur gërryerjen e mëtejshme.
Rritja e presionit të shfrytëzimit të burimeve ujore thekson rëndësinë e menaxhimit më të mirë të tyre, duke i dhënë përparësi zbatimit të politikave të qëndrueshme, një kuadri ligjor të plotë dhe pranisë së institucioneve vendore dhe qendrore zbatuese. Gjithashtu vlerësohet si nevojë urgjente përdorimi i mekanizmave transparente dhe efektivë për menaxhimin e pasurive tona natyrore, instrumente këto thelbësore për të siguruar veprime konkrete në ruajtjen e pasurisë së burimeve ujore.
Grupimi GREEN 27+, përmbledh rreth 20 organizata mjedisore në mbarë vendin, dhe me mbështetjen financiare dhe në bashkëpunim me Programin SANE 27, Green 27+ është përfshirë në zhvillimin e një programi mbështetjeje dhe rritje të kapaciteteve për shoqërinë civile, i cili synon mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE për Kapitullin 27, duke nxitur dialogun midis institucioneve qeveritare dhe OJQ-ve mbi legjislacionin mjedisor.

 

    Komentet janë të mbyllura.