(paketimin, mbetjet e pajisjeve elektronike dhe elektrike, bateritë dhe akumulatorët dhe automjetet jashtë përdorimit)
Seminari për kërkesat kryesore për transpozimin dhe zbatimin e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit (EPR) në lidhje me legjislacionin e BE-së dhe masat e nevojshme për krijimin e sistemit EPR në Shqipëri u zhvillua në 17 tetor 2019. EPR është një detyrim për prodhuesit, të cilët janë kompani që po vendosin në tregun e brendshëm të Shqipërisë produkte të cilat pasi përdoren, gjenerojnë mbetje që i përkasin njërës prej flukseve speciale të mbetjeve, siç janë paketimi, bateritë dhe akumulatorët, mbetjet e pajisjeve elektronike dhe elektrike dhe automjete jashtë përdorimit. Këto kompani, sipas legjislacionit të BE për mbetjet, bëhen prodhues dhe kanë detyrime dhe përgjegjësi shtesë për të menaxhuar mbetjet që prodhohen nga produktet e tyre. Detyrimet e tyre rregullohen në një legjislacion të posaçëm në nivelin e BE-së. Disa detyrime kryesore të prodhuesit janë të financojnë dhe të krijojnë një sistem për grumbullimin, transportimin, riciklimin ose një mënyrë tjetër të trajtimit të mbetjeve të krijuara nga produktet e tyre që ata vendosin në treg në Shqipëri dhe të përmbushin disa synime të rëndësishme për mbledhjen, riciklimin dhe trajtimin e tyre, siç përcaktohet nga legjislacioni i BE-së ose kombëtar.
Seminari u hap nga ministri Klosi dhe u kryesua nga zv.ministrja Cuci. Në seminar morën pjesë përfaqësues nga institucionet përgjegjëse, donatorë dhe palët e interesuara të sektorit privat. U nda përvoja e zbatimit të sistemit EPR nga Kroacia, Hungaria dhe Maqedonia e Veriut. Ekspertët prezantuan se si janë zbatuar kërkesat kryesore të direktivave të BE-së, si dhe mënyrën se si sistemi EPR është krijuar dhe zbatuar në vendet e tyre përkatëse.
Disa mesazhe kryesore nga seminari ishin që Shqipëria do të duhet të përmbushë objektivat në lidhje me mbetjet siç përcaktohet nga legjislacioni i BE-së për mbetjet dhe duhet të përgatisë sistemin e saj të menaxhimit të mbetjeve që të jetë në gjendje të përfshijë çdo aktor në përmbushjen e këtyre objektivave. Aktorët kryesorë, krahas prodhuesve, janë ndërmarrjet e riciklimit, ndërmarrjet tregtare-komerciale dhe bashkitë. MTM luan rol kryesor në krijimin e një sistemi mirë funksional të EPR dhe në zbatimin e tij, në mënyrë që të jetë në gjendje të tregojë se sa janë përmbushur objektivat e BE-së nga Shqipëria.
Konkluzioni kryesor i seminarit ishte që Shqipëria do të duhet të krijojë sistemin EPR sa më shpejt të jetë e mundur për tu përafruar me kërkesat e BE-së, si dhe të sigurojë bazën ligjore për zbatimin e ekonomisë qarkulluese.
Pëlqej